E premtja e sjell programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndryshe kësaj here, në mes të bukurisë së maleve të Bogës dhe traditës. “Festa e Çobanit” ka mbledhur malësorët për të festuar, ndarë zakonet e traditat, për të kërcyer vallet folklorike, për t’u mbledhur rreth sofrave me gatimet tipike duke gëzuar të gjithë së bashku.

“Festa e çobanit” përzgjedh edhe bariun më të mirë të maleve. Këtë vit, çmimi iu akordua Luc Fran Çerkut. Në një intervistë të shkurtër ai ndan emocionet e para dhe rrëfen jetën e thjeshtë si bari që e ka nisur që prej fëmijërisë. Në të gjitha shtigjet e maleve e shoqëron gjithnjë “nusja”.

Luc Fran Çerku: Jam munduar tërë jetën mos të dukem i keq. Jo të dukem i mirë, por mos të dukem i keq. Pasioni im ka qenë, që i themi ne, zona jonë, mos t’i zhys duart në punën që bëj, të punojmë mirë, të na ecë që të na ketë dikush lakmi, edhe pse është detyra që nuk e preferojnë shumë tani, unë e kam lakmi për vete, kam emocione, faleminderit njerëzve që e vlerësojnë.

Agida Koçi: Prej sa vitesh keni tufat e dhenve?

Luc Fran Çerku: Unë tufat e bagëtive i kam den baba den, domethënë edhe me baba, edhe me gjys, edhe me babëgjysh, edhe me kooperativën që ka qenë Partia e Punës, ne nuk i kemi lëshuar kurrë. Ditën që është shpërbërë kooperativa, unë me vëllain tim kemi pasur mbi 300 krerë të kooperativës, ia kemi dorëzuar popullit e janë shpërndarë. Më pas kemi bërë tufën tonë, që atë ditë nuk e kemi lëshuar më.

Agida Koçi: Pra po themi që keni qenë që fëmijë bari?

Luc Fran Çerku: Tërë jetën shtëpi barinjsh.

Agida Koçi: Sa rrugë mund të bëni ju në ditë pak a shumë, në çfarë vendesh shkoni?

Luc Fran Çerku: Dy ditë më është dashur të dal në Bogë,  e treta sot. Sot arrijmë në Theth se këtu përpjetë mund të na ndihmojë një makinë, t’i transportojmë me makinë.

Agida Koçi: Sa krerë keni aktualisht?

Luc Fran Çerku: 150.

Agida Koçi: I mban vetëm vetë të 150-a?

Luc Fran Çerku: Vetë të 150-a, vetë u bëj hyzmet, më ndihmon dhe familja por që shkoj i ruaj, i mjel e i bëj, vetë.

Agida Koçi: Por ndërkohë ju shoqëron edhe bashkëshortja apo dikush për pjesën e gatimit, fjetjes, këtë pjesën e jetesës?

Luc Fran Çerku: Unë pa gruan nuk shkoj kurrkund, sa ta kem. Edhe sot që jemi plakur, unë jam 75 vjeç ajo është te të 70-at dhe unë i thërras nuse, nuk i thërras as plakë që i thotë dikush gruas, “hajde plakë”, “si e ke plakën”, unë e kam nuse tërë jetën meqë e kam pasur nuse kur ka qenë e re, e kam nuse tërë jetën./tvklan.al