Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar penalisht në SPAK kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, pas akuzave që ky i fundit ka bërë për përfshirje të tij në njohje dhe favorizim të një grupi kriminal.  Padia ndaj Gazment Bardhit është për “Kallëzim të rremë”, ku është artikuluar ndër të tjera se akuzat janë të pavërteta, po ashtu si faktet e pretenduara.

Olsi Rama: Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës.  

Në një reagim të gjatë publik, Olsi Rama i konsideron akuzat e Gazment Bardhit si lëvizje politike, që lidhen drejtpërdrejt me faktin që është vëllai i kryeministrit të vendit.

Olsi Rama: Fakti që zotëria aspak i nderuar, ka marrë përsipër të më akuzojë si trafikant droge, thjesht dhe vetëm sepse unë jam vëllai i një kundërshtari politik, të cilin prej vitesh tanimë janë sfilitur më kot ta mundin, duke mos lënë asnjë anëtar të familjes sonë pa sulmuar me gjuhën e pistë të shpifjeve, kërkon përgjigje! Jo thjesht nga unë, po nga drejtësia! Unë nuk jam politikan dhe s’kam asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i tim vëllai ashtu si qindramijëra të tjerë dhe arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike.

Përballë këtyre akuzave, Olsi Rama sheh vetëm dy mundësi.

Olsi Rama: Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri.

Ndër të tjera, vëllai i kryeministrit shpreh të gjithë gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë.

Klan News