Kryetari i Komitetit të Digave të Mëdha, Farudin Hoxha, njëkohësisht dhe një prej projektuesve të hidrocentralit të Fierzës, garantoi qytetarët se digat në kaskadën e lumit Drin janë të sigurta.

Këtë garanci zoti Hoxha e dha gjatë një takimi që pati në presidencë me kreun e shtetit, Bamir Topi, me kërkesë të presidentit, lidhur me situatën e ditëve të fundit pas shkarkimeve nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës në qarkun e Shkodrës.

Ai u ndal dhe tek paniku i përhapur ditët e fundit ne qarkun e Shkodrës për një shpërthim të mundshëm të digave, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një tymnaje.

Pasi është informuar me situatën edhe Presidenti Topi, në mesazhin e tij drejtuar banorëve të prekur nga përmbytjet dha garanci për sigurinë e digave dhe theksoi se situata po shkon drejt përmirësimit. Kreu i shtetit u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe politikës shqiptare që të rrisin frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit në këtë situatë.

Në këtë konferencë të përbashkët, presidenti garantoi qytetarët se të gjitha strukturat e shtetit, si ato të pushtetit qendror ashtu dhe të atij lokal, po menaxhojnë me një profesionalizëm të lartë situatën për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur në zonat e përmbytura.

Tv Klan