Reforma zgjedhore duket se do të jetë peng i koalicioneve, pasi PD ka vendosur si kusht për realizimin e saj, mundësinë që partitë politike duhet të kenë para zgjedhjeve për të hyrë në garë të vetme, ose në koalicion me partitë e tjera.

Oerd Bylykbashi: Koalicioni siç ka qenë më para të futet si alternativë në kodin zgjedhor bashkë me atë që është sot që e ndryshoi Rama në mënyrë të njëanshme, pra koalicionin me një listë të vetme dhe partitë politike të zgjedhin cilin opsion të duan.

Sipas tij sistemi zgjedhor është gjymtuar me marrëveshjen e 5 Qershorit, dhe se kjo ka sjellë deformimin e votës.

Oerd Bylykbashi: Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës dhe kodit zgjedhor për të gjymtuar sistemin zgjedhor që sot është në fuqi nuk prodhon gjë tjetër vetëm se deformon votën e shqiptarëve.

Teksa socialistët nuk japin asnjë sinjal pozitiv për pranimin e kësaj kërkese, të vetmet çështje që kërkojnë të trajtojnë me prioritet janë vota e emigrantëve dhe çështja e herësit.

Damian Gjiknuri: Nëse nuk do të ketë dakordësi natyrshëm do të iniciojmë propozimet tona. E para ka të bëjë me votën e diasporës ku ja lejmë në dorë KQZ të gjejë zbatimin e detajeve teknike sa i përket postës dhe detajeve të tjera. Dhe çështja e dytë që mbetet për tu adresuar është çështja e herësit. Herësi mund të jetë mbase më i ulët ose mund të shkojmë në një skemë tjetër më afër skemës Kushtetuese.

Në rast se nuk arrihet një dakordësi, sipas Gjiknurit përgjegjësia është vetëm e opozitës.

Damian Gjiknuri: Nuk duan, do t’i themi publikut shqiptar opozita nuk do, nuk kemi çfarë bëjmë gjë tjetër.

Sipas Gjiknurit, kjo reformë nuk mund të jetë peng i marrëveshjes së 5 Qershorit.

Klan News