Për herë të parë vendet e NATO-s po diskutojnë që t’i vendosin sanksione Kinës. Një vendim i tillë për Shefin e Aleancës, Jens Stoltenberg është për shkak të mbështetjes që po ofron Pekini ndaj Moskës me informacione në teknologji të cilat janë kyçe për Rusinë për të ndërtuar raketa, armë që ajo përdor kundër Ukrainës.

Stoltenberg ishte në Uashington për përgatitjet për samitin e NATO-s të muajit të ardhshëm në kryeqytetin amerikan, një temë që ai dhe Biden e diskutuan.

Gjatë takimit të tij me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se NATO do të ndërmarrë rol kryesor në ofrimin e ndihmës së sigurisë dhe trajnimit për Ukrainën.

“Unë pres që kur të takohemi këtu muajin e ardhshëm, ne do të biem dakord që të kemi një NATO që do të marrë rolin kryesor në ofrimin e ndihmës dhe trajnimit për Ukrainën dhe gjithashtu që aleatët të bien dakord të rrisin mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Kjo do të zvogëlojë barrën mbi Shtetet e Bashkuara dhe do të forcojë mbështetjen tonë për Ukrainën.”

Ndërkohë, Stoltenberg theksoi se Rusia kërkon të fitojë sa më shumë territor në Ukrainë si parakusht për marrëveshjen e armëpushimit me Kievin.

Ai shtoi gjithashtu se mbi 20 vende anëtare të NATO-s do të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së për mbrojtjen.

Klan News