Ministri i Financave, Ervin Mete gjatë konferencës për media me kryeministrin Edi Rama njoftoi se ditën e sotme Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë bonusesh prej 20 miliardë Lekësh. Mete bëri të ditur se nga ky bonus do të përfitojnë shtresat në nevojë si dhe punonjësit e Administratës Shtetërore të cilët janë marrë me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ervin Mete: Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kemi miratuar aktin normative për disa ndryshime të buxhetit 2023, detyrim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit pas dy bonuseve për pensionistët. Plotësimin e kësaj pakete edhe për shtresat në nevojë. Përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë që sapo iu akordua pensionistëve për 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë kufizuar, 36 familje me fëmijë me ndihmë ekonomike, 68 mijë invalidë të punës, 44 mijë përfitues të pensioneve familjare.

Gjithashtu parashikohet edhe një shpërblim për 1100 punonjës të Administratës Shtetërore përfaqësues në takimet bilateral në kuadër të anëtarësimit në BE për shkak të rezultateve të lavdërueshme që kanë marrë edhe nga Komisioni Europian. Gjithashtu ka një mështetje për çdo punonjës policie, për rreth 800 milion Lekë. Për të gjitha bashkitë si një shtesë granti sipas një liste të caktuar në 2 miliardë Lekë. Gjithashtu ka rialokime edhe për projektet infrastrukturore duke i dhënë shtysë investimeve publike. Në total rialokimet janë rreth 20 miliardë Lekë dhe mbetet i pandryshuar niveli i planifikuar për të ardhurat si dhe projeksionet për borxhin publik.

Ndërkohë ndër të tjera ministri Mete i pyetur për detaje se sa do jetë konkretisht bonusi për secilën kategori përfituese dhe si u bë rialokimi i këtyre 20 miliardë Lekëve që do të jepen bonus.

Ervin Mete: Siç ju thashë bonusi është në të njëjtën masë që ju dha pensionistëve ndërsa për përfitues të tjerë tani dyfishohet masa, por edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ edhe ata marrin dyfish të masës, 10 mijë Lekë të reja. Për punonjësit e Administratës që kanë qenë të përfshirë në takimet bilateral dhe në procesin ‘Screening’ do të jetë një pagë shpërblim. Si çdo fundvit në ecuri të projekteve ne optimizojmë shpenzimet dhe rialokimet bëhen nga projekte të jashtme apo të brendshme. Dua të theksoj se ecuria e të ardhrave ka qenë pozitive dhe patëm një projeksion në rritje të të ardhurave dhe jemi drejt realizimit të asaj mase të të ardhurave duke synuar, kjo është e rëndësishme që mos të ketë në tatime asnjë rimbursim TVSH të mbetur për vitin tjetër./tvklan.al