Në kuadër të operacionit policor të koduar “Territori i pastër” janë gjetur dhe asgjësuar 6 201 fidanë kanabis në qarkun e Shkodrës.

Policia njofton se në malin e Shoshit janë gjetur 835 fidanë kanabis dhe si rezultat i hetimeve është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i kultivimit të lëndës narkotike, 29-vjeçari me iniciale M.L., banues në fshatin Hot i Ri.

Kontrollet gjithashtu kanë vijuar dhe në territorin e njësive administrative Shosh, Shalë, Pult dhe Postribë ku u gjetën në total 4 902 fidanë kanabis.

Po në vijim të kontrolleve në territorin e njësisë administrative Temal, Vau i Dejës, u gjetën 244 fidanë kanabis, ndërsa në territorin e njësisë administrative Gjegjan, Pukë, u gjetën 220 fidanë kanabis.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre fidanëve kanabis. Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./tvklan.al