Mbi 40 urdhërarreste të lëshuara nga SPAK po zbatohen nga Policia e Shtetit këtë të premte, në një operacion të shtrirë në disa qytete të vendit. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Posaçme, me edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja Bleona Metushi raportoi se ndaj personave në fjalë rëndojnë akuza të rënda si vrasje e organizatë kriminale.

“Që prej orëve të para të kësaj të premteje Policia e Shtetit është duke kryer një operacion që është shtrirë në Tiranë, Durrës, Lezhë, por edhe në Vlorë, aty ku po ekzekutohen disa vendime për urdhër kontrolle dhe masa sigurie të lëshuara nga SPAK. Kjo e fundit i ka lëshuar këto masa për akuzat e vrasjes, sigurimet e kushteve për të kryer vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe bashkëpunim si grup i strukturuar kriminal”, tha gazetarja.

Falë hetimeve, që kanë bazë komunikimet e ekriptuara në SKY dhe Encrochat, sipas burimeve janë zbardhur një seri ngjarjesh kriminale që datojnë që prej vitit 2019. Sipas Metushit, janë këto komunikime që janë zbardhur dhe gërshetuar nga hetuesit edhe me dosjet hetimore të mëparshme, pra ngjarje të pezulluara apo të pazbardhura.

“Një pjesë e masave të sigurisë janë ekzekutuar. Pjesa tjetër, për shkak se personat rezultojnë jashtë shtetit, është bërë shpallja e tyre në kërkim. Operacioni vijon ende dhe do të pritet më tej edhe një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme për të qartësuar se cilat janë këto ngjarje të zbardhura dhe cilët janë personat e vënë në pranga. Nga burime mësohet se janë personazhe të lidhur me botën e krimit, por edhe personazhe të tjerë të njohur që më herët kanë qenë pjesë e politikës”, shtoi gazetarja.

Burimet për gazetaren e Tv Klan, Bleona Metushin, kanë konfirmuar deri më tani se këto hetime të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kanë gjetur dhe 3 punonjës police të implikuar, të cilët kanë bashkëpunuar me anëtarë të ndryshëm të shpallur në kërkim ose të arrestuar nga SPAK në paligjshmëri.

“3 personat, të cilët aktualisht mbanin detyrë në Policinë e Shtetit janë vënë nën hetim dhe në masën e sigurisë arrest me burg”, thotë gazetarja Metushi.

Tv Klan