Klan News ka siguruar dosjen e arrestimit të 28 personave në megaoperacionin e policisë së Elbasanit, ku mes tyre janë edhe punonjës së Peqinit dhe të Drenovës dhe po ashtu dhe të burgosur Vip. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci ka sjellë detaje nga dosja hetimore.

Glidona Daci: Duhet theksuar se është një dosje voluminoze, ku janë të zbardhura përgjimet dhe komunikimet që kanë pasur të burgosurit me njëri-tjetrin, por edhe me persona të tjerë të cilët ndodheshin jashtë ambienteve të qelive, persona dhe funksionarë të burgjeve. Ditën e nesërme priten të komunikohen masat e sigurisë. Në dosje thuhet se zanafilla e gjithë historisë është kur të burgosurit Vip në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nisën grevën e urisë nëpërmjet refuzimit të ushqimit dhe më pas nga ky moment, nëpërmjet komunikimeve dhe përgjimeve nëpërmjet aparatëve celularë, u shpërnda kjo “greva e urisë” në thonjëza edhe në insitucionet e tjera të ekzekutimit të veprave penale, ku të burgosurit komunikonin me njëri-tjetrin. Prokuroria e Elbasanit në dosjen e saj hetimore referon dhe faktin që të gjitha materialet dhe sendet e paligjshme të cilat ishin futur në burg ishin futur nëpërmjet punonjësve të policisë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën dhe nuk kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme në lidhje me këtë çështje./tvklan.al