Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në lagjen Qafëhardhi të Shkodrës në një treg me rroba të përdorura. Nga flakët janë krijuar shtëllunga gjigante tymi që kanë mbuluar qytetin verior.

Forca të shumta zjarrëfikëse kanë luftuar për orë të tëra me flakët duke i vënë nën kontroll. Mbi 100 zjarrëfikës me 21 mjete të repartit të Shkodrës, nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari janë angazhuar për të neutralizuar vatrën e zjarrit.

Në ndihmë të tyre ka ardhur edhe një helikopter i ushtrisë si dhe forca të policisë së rendit, asaj bashkiake dhe të ushtrisë.

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar seriozisht, por vetëm një banore e zonës dhe dy punonjës të Forcave Zjarrfikëse kanë patur probleme pas asfiksimit nga zjarri dhe marrin ndihmën mjekësore në spitalin rajonal. Gjendja e tyre është e mirë, pa asnjë komplikacion shëndetësor.

Klan News