Ushtria izraelite ka njoftuar se do të ndërpresë operacionet ushtarake çdo ditë përgjatë një rruge në jug të Gazës. Kjo për të mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare.

Pauzat kanë filluar të shtunën dhe do të zgjasin nga ora 08:00 me orën lokale deri në orën 19:00 të mbrëmjes deri në një njoftim tjetër. Sipas ushtrisë izraelite ato do të prekin vetëm një rrugë që Gaza ndan me Izraelin e cila të çon në veri nga vendkalimi Kerem Shalom.

Vendimi i ushtrisë izraelite erdhi pas presionit të vazhdueshëm nga aleatët, përfshi SHBA-në, për të parandaluar përkeqësimin e krizës humanitare në Gaza.

Përmes një postimi në rrjetet sociale forcat izraelite sqarojnë se kjo pauzë nuk nënkupton armëpushimin në jug të Gazës, por luftimet do të vazhdojnë në Rafah. E teksa ushtria izraelite foli për një pauzë humanitare zyra e kryeministrit tha se kur Netanyahu dëgjoi lajmin mëngjesin e sotëm i tha sekretarit të tij ushtarak se kjo ishte e papranueshme.

Gazeta Izraelite “Haaretz” shtoi se pas sqarimit kryeministri u informua se nuk ka asnjë ndryshim në politikën e ushtrisë izraelite dhe se luftimet në Rafah do të vazhdojnë sipas planit.

Tv Klan