Socialistët kaluan vetëm me votat e tyre në Komisionin e Ligjeve draftin e integruar të amnistisë penale ku janë përfshirë dhe disa nga propozimet e Enkelejd Alibeajt dhe Bledion Nallbatit.

“Qoftë të dënuar apo atyre që janë në ndjekje penale, gjatë tubimeve ose protestave politike, ky propozim është pranuar”, tha ministri Ulsi Manja.

Por vetë Alibeaj që u bë pjesë e mbledhje së zhvilluar online mohon që propozimet e tij të jenë marrë parasysh.

“Nga amendamentet tona s’keni të drejtë të fusni duart. O pranohen, o s’pranohen”, tha Alibeaj.

Alibeaj kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar propozimet e mazhorancës, çka nuk u pranua nga socialistët të cilët kanë dorëzuar këtë dokument prej tre muajsh dhe janë të vendosur ta kalojnë për miratim në seancën e kësaj të enjteje.

“Të miratohet një ligj me shumicë të cilësuar me peshkim votash individuale në parlament unë nuk ua këshilloj”, tha Alibeaj.

“Tani të çohet edhe pjesa tjetër e opozitës dhe të thonë që duan të amnistohen edhe ata që shkuan te selia e PS-së njëra palë kundra palës tjetër. Tjerat pastaj janë pazare dhe allishdervishe”, tha ministri Manja.

Një nga ndryshimet që ju bë draftit fillestar me propozim të opozitës është dhe zgjatja e afatit kohor për veprat që përfitojnë amnisti deri në 31 Janar të 2024, ndërkohë që është zgjatur dhe afati për kohen e mbetur të dënimit për veprat penale që amnistohen për gratë nga 4 vite zgjatet në 5 vite dhe për burrat nga 3 në 4 vite.

Amnistia penale që të miratohet në parlament kërkon 84 vota që shumica socialiste nuk i ka, nuk dihet nëse deri të enjten do të arrihet një dakordësi me grupimin e Bashës që në parim është shprehur pro këtij projektligji.

Tv Klan