Çdo ditë ka raportuar të gjitha emocionet e Kampionati Europian drejtëpërdrejt nga Gjermania për Tv Klan dhe Klan News, por ditën e sotme i ftuar në studion e Klan News, gazetari Glend Tafaj tregon më shumë për emocionet se çfarë nuk është transmetuar në kamera.

Gazetari e ka quajtur eksperiencën më të bukur raportimin për Kombëtaren. Momentin më emocionues ka cilësuar golin në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Kroacisë të Klaus Gjasulës, por jo vetëm. Gazetari ka treguar edhe prapaskenat e “përgjimeve” nga oborret e shtëpive të gjermanëve për të zbuluar më shumë mbi formacionet e ndeshjeve.

Ndërsa sa i përket ndeshjes me Spanjën gazetari Tafaj u shpreh se e kishte të qartë kundër cilës skuadre po luanim dhe i gjithë optimizmi që ishte para ndeshjes ishte më shumë në kuadër të shpresës që Shqipëria të fitojë dhe jo se ishte ajo ndjesia e sigurisë.

Ndër të tjera në fjalën e tij gazetari foli edhe lidhur me faktin nëse trajneri Sylvinho do të rinovojë kontratën me Kombëtaren shqiptare dhe më tej të vazhdojë me Nations League dhe kualifikueset e Botërorit edhe pse në një prononcim për media të Sylvinhos në Rinas ky i fundit është shpreh se ai do vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares. Tafaj tha se trajneri ka një ofertë tjetër dhe pritet që gjithçka të diskutohet me Presidentin Duka se si do të vijojë më tej.   

-Sylvinho sapo zbritit në Rinas tha që jam pjesë e ekipit, por si mendon do të rijë Sylvinho si vendim i tij personal?

Glend Tafaj: Për Sylvinhon është arritje shumë e madhe se ka një karrierë që është ende në embrion. Ka drejtuar shumë pak kohë Lyonin, ka qenë ndihmës trajner te Interi nuk është se ka qenë trajner i parë. Kjo ishte eksperienca e tij e parë si trajner edhe e shfrytëzoi pasi zhvilluam një Europian dinjitoz. Ai vetë e vlerësoi shumë, u ndje i vlerësuar nga të gjithë. Sa i përket qëndrimit duket i sigurtë Presidenti Duka është dakord të rinovojë kontratën, por unë nuk jam shumë i sigurtë që rinovon.

-Pse?

Glend Tafaj: Nuk jam. Edhe jo nga Duka, por nga vetë Sylvinho. Mund të ketë ndonjë ofertë edhe më të mirë. Nuk e them dot 100% të sigurtë. Megjithatë nuk po them që nuk do të rinovojë. Edhe ai dëshirën e ka të qëndrojë sepse tha do të bëhemi gati për Nations League, për Botëror.

-Po mbase ne i ofrojmë më shumë. Një ofertë ndoshta më të mirë.

Glend Tafaj: Nëse vijnë dy oferta pastaj është Sylvinho ai që  i pëshon.

-Pra ai ka në tryezë një ofertë të mirë?

Glend Tafaj: Ka në tryezë një mundësi tjetër dhe do jetë ai që do i peshojë. Unë emrin e ekipit nuk e di. Nuk është çështje vetëm financiare. Natyrisht do të ulen të diskutojnë. Nuk kanë diskutuar deri tani me Presidentin Duka. Do të bisedojnë në mënyrë të detajuar se çfarë do të ndodhë sepse ka kohë. Ka edhe një muaj kohë për të gjetur edhe njëlloj akordi edhe pse Sylvinho nuk është se ka dëshirë të largohet.

/tvklan.al