#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Erion Veliaj dhe Belind Këlliçi

Veliaj: Ndryshimet kanë përmirësuar trafikun në Tiranë

Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, trafiku në çdo qytet të madh është një sfidë e jashtëzakonshme. Ai u shpreh në emisionin “Opinion” në Tv Klan se vetëm në kryeqytet janë të regjistruara 180 mijë makina, por duke shtuar edhe numrin e atyre që vijnë nga rrethet shkon në 250 mijë mjete. Sipas Veliajt shumë prej ndryshimeve e kanë përmirësuar trafikuan.

“Trafiku është një sfidë e jashtëzakonshme për çdo qytet të madh. Fjala vjen nuk ka trafik në Bari, por ka në romë dhe Milano. Nuk ka trafik në Këlcyrë dhe në Has por ka në Tiranë. Në Tiranë të regjistruara janë 180 mijë makina dhe ndërkohë bashkë me ato që vijnë nga rrethet janë 250 mijë makina në të njëjtin në të njëjtin qytet me akset që kemi trashëguar që nga koha e Italisë. Ajo që më rezulton është që nëse në hyrje të Tiranës në kohën e tek le të themi sheshi “Shqiponja” duheshin 2 ose 3 orë, sot kalohet në pak minuta. Do të thotë që shumë prej ndryshimeve e kanë përmirësuar trafikun”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili do të kandidojë në zgjedhjet e 14 Majit edhe për një mandat tjetër, theksoi se edhe cilësia e ajrit është përmirësuar krahasuar nga disa vite më parë.  

“Siç ta tregova cilësia e ajrit sot merr vlerësimin ‘Good’. Në disa ditë del edhe ‘shumë mirë’. Ndërkohë që e kemi marrë nëse sot nota mesatare është 7 dhe disa ditë 9 nota mesatare para disa viteve ka qenë 4 ose 5. Domethënë që kemi ngelësa kur vjen puna tek cilësia e ajrit. A mund të bëhet më shumë? Patjetër”, tha Veliaj.

Kullat e larta në qendër të Tiranës, Veliaj: Hotelet me 5 yje sjellin biznes të jashtëzakonshëm

Në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka folur këtë të Enjte edhe për kullat e larta që po ndërtohen përreth qendrës historike.

Sipas Veliajt, në qytete të kësaj natyre qendra historike mbrohet dhe në periferi të saj ndërtohen hotele luksoze me 5 yje sepse një gjë e tillë sjell biznes shumë të mirë.

-Ka një debat shumë të madh që lidhet me ndërtimin e kullave të larta rreth e rrotull qendrës së qytetit. E para, qendra është historike, kemi xhamin, sahatin që po rrethohen nga kulla. E dyta, ka një debat që lidhet me intensitetin e ndërtimit dhe çmimet tejet të larta të ndërtimit në Tiranë.

Erion Veliaj: T’i adresojmë me radhë. Qyteti në fakt është një qytet i ri, i krijuar nga një aksident ose incident i Kongresit të Lushnjes që e transformoi. Këtu kemi dy mundësi. Duke e ditur që ne nuk jemi Athina dhe Roma, pra nuk jemi qytet i lashtë Kiçin e Shkupit, të ndërtojmë një qytet të ri…

-Jo! Ajo e Shkupit është disaster, është ndoshta situata më komike që unë kam parë në Ballkan.

Erion Veliaj: Një kryetar bashkie ose një administratë duhet të pranojë që ky është një qytet relativisht i ri, patjetër shumë krenar edhe për një sahat që tani punon me gomën e vet sa herë shkon në gjysmë ora.

-A kishte nevojë qendra për këto godina kaq të larta? A mund të bëheshin këto tek Bulevardi i Ri?

Erion Veliaj: “InterContinentali”, “GranMelia” ose “Sofiteli”, ose ndërtesa të tjera jashtëzakonisht cilësore, dalluar nga rrumpahanja e viteve ’90, janë komplet tjetër gjë. Së pari, të gjitha bizneset, turizmi, aktivitetet ndodhin në qendër të Tiranës. Ti nuk mund t’i çosh të huajt tek bregu i lumit dhe t’u thuash se ministrisë do i kenë këtu, eventet ndodhin këtu…Tipikisht në qytete të kësaj natyre, qendra historike është mbrojtur, në periferi të qendrës historike…Hapja e hoteleve me 5 yje në qendër të qytetit sjell një biznes të jashtëzakonshëm.

Veliaj: Piramida, projekti im i preferuar! Është simbol i hapjes dhe i transformimit

Piramida e Tiranës është projekti i preferuar i kryebashkiakut Erion Veliaj. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu, Veliaj u shpreh se projekti tek Piramida nuk është glorifikim i së kaluarës.

“Më pyete qëparë kush është projekti i preferuar dhe në fakt është e vetmja përgjigje që unë e kam ndërruar çdo vit. Një herë ka qenë pazari, një herë liqeni. Këtë vit patjetër them Piramida sepse nuk është glorifikim i të kaluarës. A kam unë nostalgji? Patjetër dhe unë kam nostalgji edhe unë kam rrëshkitur tek ato shkallë. Kam parë filmat e parë. Kam qenë tek “Mumja”,kam qenë tek disko e parë. Si fëmijë vinim pas ’88. Pavarësisht kujtimeve sot kjo konsiderohet si copa e pronës më e çmuar në Tiranë. Është mes Kryeministrisë, hotel “Dajtit” dhe në kryqëzimin kryesor të Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Piramida do të jetë shkolla më e madhe teknologjike për të mësuar zanate të së ardhmes. Sipas tij, projekti i ri është simbol i hapjes.

“Ritransformimi jo vetëm në estetikë, por edhe në funksion, besoj se bën diferencën këtu. Në qoftë se Piramida e vjetër ishte simbol i izolimit dhe i mbylljes sot Piramida është simbol i hapjes dhe i transformimit të aftësive të të rinjve tanë në punët e të ardhmes. Do të jetë shkolla më e madhe teknologjike për të mësuar kodim për të mësuar zanate të së ardhmes. Shkollë publike, nëse duhet të përdor një krahasim me kohën e shkuar biçim “pallati i pionerëve” për kompjutera”, tha Veliaj.

Çfarë ndodh me projektet e Tiranës nëse humbet zgjedhjet? Përgjigjet Veliaj

Për kryebashkiakun aktual të Tiranës Erion Veliaj nuk ka asnjë indikator që ai mund të humbasë garën elektorale më 14 Maj.

I pyetur se si do ndihej në rast se nuk fiton përballë kundërshtarëve të tij politikë dhe s’arrin dot të përfundojë projektet e nisura për Tiranën, Veliaj u shpreh se ka mbështetjen e publikut dhe se modernizimi i kryeqytetit është në një fazë të pakthyeshme.

-Çfarë do të ndodhë, si do të ndiheshit nëse i humbisni zgjedhjet dhe i lini përgjysmë këto projekte?

Erion Veliaj: Nuk ka asnjë indikator që mbështetja e publikut ka rënë, përkundrazi…

-Por, ka gjithmonë një por…

Erion Veliaj: Unë mendoj që një pjesë e mirë e projekteve të Tiranës janë vendosur në auto-pilot, nuk kthehet dot mbrapsht sheshi, pazari apo Piramida dhe unë them që rruga për modernizimin e Tiranës në këtë fazë është e pakthyeshme.

Këlliçi: Referendum për korsinë e biçikletave në “Myslym Shyri”, është bërë pa plan

Ngushtimi i hapësirave publike është një nga problematikat që Belind Këlliçi, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 Majit, shikon në qytetin e Tiranës. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Këlliçi mori si shembull korsinë e biçikletave në rrugën “Myslym Shyri”.

“Ka një problematikë shumë të madhe. Ka një problematikë sa i përket ngushtimit të hapësirave publike që i janë bërë lagjeve të Tiranës dhe rrugëve emblematike. Do të të marr një shembull konkret. Jemi këtu dhe ju shihni korsinë e biçikletave. Ju e shihni që frekuenca e atyre që pedalojnë në këtë rrugë me biçikletë apo monopat është shumë e ulët. Ju ftoj që nëse doni, të pyesim bizneset në këtë rrugë emblematike a janë dakord me këtë që ka ndodhur sepse kanë falimentuar pothuajse të gjitha bizneset në këtë rrugë për shkak të vendosjes gabim të korsisë së biçikletave”, tha Këlliçi.

Sipas tij, koncepti europian për korsitë e biçikletave është që ato të vendosen pranë atyre që kalojnë në këmbë dhe jo t’u rrezikohet jeta pranë makinave. Sipas tij, ndërtimi i korsisë së biçikletave në rrugën “Myslym Shyri” është i gabuar dhe për këtë çështje tha se do të bëjë një referendum me njësinë 10.

“Në çdo koncept europian korsitë e biçikletave janë pranë atij që kalon në këmbë dhe jo ti rrezikohet jeta pranë makinave. Nuk mund të ndërtosh korsi biçikletash në 3 rrugë paralele. Të ndërtosh këtu në “Myslym Shyr”, në Rrugën e Kavajës dhe në Rrugën e Durrësit. Është bërë pa plan. Nuk ka as edhe një banor në të gjithë rrugën e “Myslym Shyrit” që të jetë dakord me këtë situatë. Për Rrugën e Kavajës nuk ju them të njëjtën gjë se është bërë e mirëmenduar. Është vendosur një korsi në mes dhe trafiku është i lirë dhe dyqanet kanë një frymëmarrje tjetër. Në këtë rrugë e shihni që ka një problem shumë të madh edhe me këto makina që rrinë shumë pak. Kjo është bërë e detyruar për bizneset e vogla, për t’i falimentuar. Problemi është këtu që unë gjykoj që në këtë rrugë një zgjidhje shumë e mirë për hapësirën publike është pikë së pari heqja e këtyre birrilave që janë komplet të panevojshme dhe unë e premtoj do të bëj një referendum me njësinë 10 për këtë çështje pas 14 Majit. Dhe e dyta, ndërhyrja emergjente në brendësinë e lagjeve”, tha Këlliçi.

Sa real është transporti falas për Tiranën? Këlliçi: Shumë e thjeshtë, kushton 16.5 mln euro…

Kandidati i Partisë Demokratike për të marrë drejtimin e bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi ka folur më shumë në një intervistë për Blendi Fevziun në Tv Klan sa i takon premtimit të tij për transport publik falas.

Ai u shpreh se kjo nismë është jetike për kryeqytetin pasi do të shmangë trafikun dhe ndotjen. Këlliçi thotë se transporti falas është i barasvlefshëm me 16.5 milionë euro në vit nga buxheti i bashkisë. Kjo shifër sipas tij është lehtësisht e mbulueshme.

Belind KëlliçiQytetit i është marrë fryma, i është marrë oksigjeni, ndaj dhe ajo nismë që kam propozuar, transporti falas është pikërisht…

-Sa reale është?

Belind Këlliçi: 100%!

-Si do ta bësh falas?

Belind KëlliçiËshtë fare e thjeshtë, kushton vetëm 16.5 milionë euro në vit.

-Po pse pak janë 16.5 milionë?

Belind Këlliçi: Janë vetëm 6.8% e një buxheti 240 milionë euro

-Tirana duhet të shtojë më shumë transport publik që njerëzit të mos dalin me makina patjetër, por ta bësh falas?!

Belind Këlliçi: Është pa pagesë, në fund të ditës këto para do të merren nga paratë e qytetarëve nga taksat. Kjo është çështje jetike, të shfrysh trafikun, të ulësh ndotjen. Nga ana tjetër jemi nga 10 kryeqytetet europiane më të ndotura.

Kandidat për një bashki me 1 mln banorë, Këlliçi: I kam duart e pastra, nuk kam firmosur asnjë aferë korruptive

Mungesën e eksperiencës administrative kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 Majit, Belind Këlliçi e sheh si një avantazh të jashtëzakonshëm.

Për Blendi Fevziun, gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, Këlliçi tregoi se sloganin e fushtaës e ka bazuar në konceptin e duarve pasi për herë të parë po vjen për Tiranën një kandidat që i ka duart e pastra dhe nuk është përfshirë në asnjë aferë korruptive.

Blendi Fevziu: Me aq sa kemi parë në sondazhe është që në raport me Veliajn nuk keni njohjen që ai ka edhe për arsye të karrierës më të gjatë që ai ka, vjen si ministër. Jeni i vetmi kandidat për kryetar bashkie që vjen pa pasur një post. Po t’i numëroj prej vitit 1996 e në vijim të gjithë sfidantët kanë qenë ish-ministra, ish-zv/kryeministra.

Belind Këlliçi: Ky besoj është një nga avantazhet e mia më të mëdha!

Blendi Fevziu: Është avantazh apo disavantazh sepse është mungesë e eksperiencës administrative?

Belind Këlliçi: Jo është avantazh i jashtëzakonshëm sepse edhe sloganin e fushatës e kam “Tirana në duart tuaja, ndryshimi në duart tuaja”, dhe gjithçka e kam bazuar në konceptin e duarve në sensin që për herë të parë vjen një kandidat që i ka duart e pastra, nuk kam firmosur me duart e mia as edhe një aferë korruptive, as edhe një paligjshmëri dhe gjykoj që kjo për qytetarin që na ndjek është një avantazh i jashtëzakonshëm dhe është në interes të qytetarëve.

Blendi Fevziu: Unë po ju them përderisa ju do keni administrim më të madh, zëre se pas kryeministrit njeriu që administron më shumë është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Çfarë eksperience keni ju për të administruar një qytet prej 1 milion banorësh?

Belind Këlliçi: Është çështje vullneti dhe çështje vizioni. Pikë së pari, arsyeja pse unë nuk mund të jem aq i njohur sa është Veliaj është se nuk jam gjithë ditën në televizor, nuk jam duke bërë show, nuk jam në çdo media kombëtare apo jo ku ndërpriten aktivitet të rëndësishme për të dalë kryebashkiaku me përparëse për të shpërndarë një pjatë supë. Nuk jam pjesë e këtij mentaliteti dhe kësaj ideologjie. Jam një njeri që punoj fort, që punoj shumë, jam shumë i dedikuar dhe mbi të gjitha e konsideroj veten edhe për shkak të formimit tim, shkollimit tim në SHBA, e konsideroj veten një menaxher të mirë që punon me ekip.

“70 mijë banorë me 0 kopshte e shkolla, pa rrugë”, Këlliçi flet për Astirin: E kam detyrim që…

Kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës Belind Këllici ka dhënë një intervistë për Blendi Fevziun këtë të Enjte në Opinion në Tv Klan teksa ecte në rrugët e kryeqytetit.

Një nga zonat kyçe për të cilat Këlliçi zgjodhi të flasë më shumë, ishte dhe Astiri, lagje që sipas tij ka shumë problematika në infrastrukturë dhe në 8 vite nuk ka njohur asnjë investim.

Këlliçi u shpreh se një nga lagjet më të populluara të Tiranës ka rrugët në gjendje të papranueshme dhe s’ka asnjë kopsht, çerdhe apo shkollë.

Belind Këlliçi: Komuna e Kasharit ka patur një plan që e kapte dhe këtë zonë. E ka patur projektin dhe planin, por nuk u vu në zbatim për shkak dhe të ndarjes së re territoriale administrative. Këtu ka një problem, janë 70 mijë banorë që kanë 0 kopshte, 0 shkolla dhe 0 çerdhe.

-Çfarë ideje keni për këtë zonë?

Belind KëlliçiKam qenë deputet i kësaj zone dhe prandaj kam detyrimin që të vij në këtë zonë. E nisa me “Myslim Shyrin” aty ku jam lindur e rritur dhe do duhet të vij në zonën ku kam përfaqësuar qytetarët e Tiranës dhe ku vijoj ende shpirtërisht marrëdhënien me ta. Kërkesa e tyre është për të pasur një rrugë normale, kjo është e papranueshme për çdo qytet të botës e jo më për një kryeqytet europian. Dhe nga ana tjetër për 70 mijë banorë…

-Po nuk është e njëjta situatë për 70 mijë banorë.

Belind Këlliçi: Jua garantoj që rrugët janë njëlloj, identike. Mbi 60, 70% të rrugëve dhe rrugicave janë të tilla dhe nga ana tjetër ka vetëm një qendër shëndetësore të futur në një pallat që nuk mund t’ju shërbejë as 5 mijë qytetarëve.

Veliaj tregon cili është projekti më i madh për fshatrat e Tiranës

Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se projekti më i madh për zonat rurale të kryeqytetit është tregu agro-ushqimor. Ai u shpreh se tregu do të hapet muajin tjetër dhe thyen monopolin privat.

Blendi Fevziu: Kush është projekti më i madh që ju keni për zonat rurale?

Erion Veliaj: Projekti më i madh për zonat rurale është padyshim tregu agro-ushqimor. Ne do ta hapim muajin tjetër. Është në zonën mes TEG-ut dhe Farkës.

Blendi Fevziu: Tregu do të jetë investim privat apo i bashkisë?

Erion Veliaj: Është i gjithi investim i bashkisë. 90% Bashkia e Tiranës, 10 përqind është AZHBR-ja, Ministria e Bujqësisë. Ne për herë të parë, siç e thashë, unë nuk e kam kompleks, ne jemi të majtë dhe besoj që dora e fshehtë e tregut zgjidh ca gjëra, por dora e dukshme e shtetit zgjidh më shumë gjëra. Dhe dora e dukshme e shtetit praktikisht po prish një monopol privat, që ka një treg privat që automatikisht i ke dhënë të drejtën ekskluzive për të ndërlidhur fermerët me tregtarët. Këtë monopol e thyen bashkia që tashmë 100% të hapësirës e ka tashmë të dhënë. Është në anën tjetër të kodrës. Siç ke qendër tregtare si TEG-u tani ke dhe një qendër agro-ushqimore për atë që është rripi më pjellor i Tiranës që është gjithë lugina e Tiranës.

Blendi Fevziu: Ky është projekti që e konsideroni më i rëndësishmi për zonën në fshat?

Erion Veliaj: Absolutisht sepse është praktikisht konglomerat ose agregator i gjithë këtyre sukseseve, edhe i gjelit, edhe i domates së Shëngjergjit, edhe i vajit të ullirit, edhe i vreshtave. Fakti që ende pa bërë mirë anonçimin i kemi dhënë 100% të hapësirave, tregon që kishte ardhur koha të thyhej monopoli privat. Shih çfarë do ndodhë. Tregtari paguante më shumë se duhej të paguante privatin ku e bënte këtë tregti. Fermeri gjithashtu taksohej para se të futej për arkë ndërkohë me rënien 70% të këtyre faturave do të bjerë edhe çmimi i produkteve që një qytetar i Tiranës do i ketë kilometër zero, bio dhe më të lira tek tavolina e vet.

Bulevardi i Ri, Veliaj: Tirana e 100 viteve të ardhshme do të jetë tek ai segment

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka folur sot në një intervistë për Blendi Fevziun në “Opinion” dhe për Bulevardin e Ri.

Sipas Veliajt, në këtë zonë do të transferohen një sërë institucionesh të drejtësisë dhe administratës bashkiake. Ai thekson se Tirana e 100 viteve të ardhshme do të jetë e transferuar tek ai segment.

-Bulevardi i Ri duket krejtësisht i braktisur, a keni një filozofi apo thjesht vjen një ndërtues?

Erion Veliaj: Tek Bulevardi i Ri do të kemi një transferim të disa institucioneve publike duke filluar nga administrata e bashkisë së Tiranës që s’ka më nevojë të marrë hapësira me qira, kemi një hapësirë për Muzeun e Artit Modern në të majtë të bulevardit. Kemi një hapësirë tjetër për një tjetër pallat konventash sepse Pallati i Kongreseve sot është i prenotuar deri për vit të ri. Kështuqë Tirana e 100 viteve të ardhshme do të jetë tek ai segment, pra shtylla kurrizore e Tiranës do të zgjatet në drejtim të lumit. Aty ku takohet bulevardi me lumin, jemi në tentativa, në fazën e fundit…

-Pse nuk i spostoni këto godina ikonike të larta në atë zonë, por i ngjeshni në qendër të Tiranës/

Erion Veliaj: E para, plani francez i ka pasur 10 kullat në qendër të Tiranës që para 10 vitesh, kështuqë këtu nuk ka asnjë gjë të re. Tek Bulevardi i Ri patjetër që do të ketë ndërtesa të reja. Ne po planifikojmë të transferojmë aty Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Tiranës dhe shumë prej shërbimeve të drejtësisë apo administratës bashkiake.

A do të uleni me qeverinë për problematikat? Këlliçi tregon çfarë do të bëjë nëse zgjidhet kryebashkiak

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, u shpreh këtë të enjte se një kryebashkiak po të ketë vullnet e përdor partneritetin me qeverinë për të bërë një investim që i shërben qytetarëve.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, Këlliçi tha se kryetari aktual i bashkisë së Tiranës nuk e ka bërë këtë. I pyetur nëse bëhet kryebashkiak a do të ulet me ministrat e palës tjetër, Këlliçi tha se nuk e ka problem të ulet me askënd, as me kryeministrin për hir të interesit publik të qytetarëve.

Blendi Fevziu: Nëse ju bëheni kryebashkiak do uleni me ministrat e palës tjetër për të zgjidhur problematikën? Se zakonisht në këto situata të tilla secili futet në bunkerin e vet dhe nuk ka bashkëpunim. Dhe ky mund të jetë avantazhi i Veliajt që thotë unë do punoj me pushtetin qendror që Këlliçi mund ta bëjë.

Belind Këlliçi: Një nga mangësitë më të mëdha të administratës aktuale, gjykoj unë, është fakti që kanë patur si rrallë kush në këtë vend kryebashkiaku aktual ka pasur mundësinë që për tetë vite të kishte qeverinë në krah dhe të bënte investime jo vetëm për qytetin, por edhe fshatin dhe kudo dhe nuk e ka bërë. Unë nesër si kryetar bashkie do të ulem me këdo, me kryeministër, me ministra, me institucione shtetërore për hir të interesit publik dhe qytetarëve. Nuk i intereson qytetarëve çfarë ngjyrimi politik ka Belindi, apo çfarë preference politike ka Belindi. I intereson rruga, uji i pijshëm, uji për vaditje. I intereson kopshti, shkolla dhe çerdhja e fëmijëve. Kaq e thjeshtë.

Këlliçi larg konflikteve politike: Do të bashkëpunoj me të gjithë, përveç Alibeajt

Si kandidat për të marrë drejtimin e bashkisë më të rëndësishme në vend, Belind Këlliçi thotë se do lërë mënjanë çdo debat politik, duke theksuar se është i hapur për bashkëpunim.

Pavarësisht konflikteve të brendshme në Partinë Demokratike, Këlliçi u shpreh se me përjashtim të Enkelejd Alibeajt, do të ketë kontakte me çdo deputet ku përmendi edhe Roland Bejkon. Ky i fundit do të garojë për bashkinë e Tiranës si përfaqësues i grupimit të Alibeajt.

Belind Këlliçi: Unë sot e kam lënë politikën dhe debatin politik mënjanë, kam dhënë dorëheqjen, kam dalë nga konflikti politik.

Këlliçi, meqë thatë se unë s’dua të merrem me politikë, a do të shkoni ju përtej konflikteve? Vumë re që pjesa që konteston “Rithemelimin”, pati probleme dhe brenda asaj Partie Demokratike që i ka mbetur vula. Pra një pjesë deputetësh kërkuan që të mos kishte kandidatë në Tiranë, po me këtë deputetë do të bëni ju përpjekje për të bashkëpunuar?

Belind Këlliçi: Padiskutim me të gjithë deputetët! Me të gjithë, duke filluar nga zonja Tabaku, te zoti Bardhi, Sula, zonja Çupi.

-Po me Alibeajn vetë?

Belind Këlliçi: Me çdo njeri përveç zotit Alibeaj sepse është ai promotori i këtij konflikti. Pra, e lëmë mënjanë atë zotëri. Edhe me zotin Bejko do të kem kontakt, ai është një ish-koleg i imi. Do të rrjedhë shumë ujë në fund, por nuk do të më krijojnë mua probleme aq shumë sa do t’i krijohen kandidaturës tjetër përballë./tvklan.al