Një avion i linjës Lion-Stamboll ka bërë ulje të detyruar në aeroportin e Rinasit. Shkak është bërë një shtetas nga Afganistani, i cili ka tentuar vetëvrasjen me mjet prerës në avion. Bëhet fjalë për një 40-vjeçar, që dëmtoi damarët me brisk rroje. Ngjarja ndodhi teksa avioni ndodhej në hapësirën ajrore shqiptare dhe aeroporti më i afërt ndodhej në Tiranë. Dëmtimi i damarëve nga shtetasi afgan në bordin e avionit, alarmoi pasagjerët dhe ekuipazhin. Stafi i kompanisë turkish “Airlines” i dha ndihmën e parë pasagjerit.

Pasi ka bërë uljen e detyrueshme në Rinas, 40 vjeçari u mor me autoambulancë dhe u dërgua në spitalin e Traumës. Në njoftim për këtë ngjarje, policia thotë se shtetasi afgan ndodhet në gjendje kritike për jetën në këtë spital për shkak se ka humbur shumë gjak. 40-vjeçari mësohet se dispononte leje qëndrimi në Francë, por ende nuk dihen arsyet përse ai ndërmori aktin e rëndë.

Pas furnizimit me karburant në Rinas, avioni nisi fluturimin drejt Stambollit.

Klan News