Platforma muzikore “X Factor Albania” rikthehet së shpejti në ‘TV Klan’.

Ky lajm është bërë i ditur nga vetë moderatorja dhe producentja artistike Alketa Vejsiu, e cila bashkë me regjisoren dhe producenten artistike Vera Grabocka, ka njoftuar se tashmë shumë të rinj kanë mundësinë për të promovuar talentin e tyre.

“Jemi shumë të lumtur që sjellim në ekran pas disa vitesh mungesë këtë platformë të jashtëzakonshme, që do të zbulojë talentet e reja në muzikë! Pas shumë vitesh mungesë në ekranet shqiptare të programeve ‘talent show, po ju presim kudo ndodheni, që t’ju zbulojmë juve, super star-ët e rinj të muzikës dhe skenës shqiptare,” është shprehur Alketa Vejsiu.

“‘X Factor’ është një produksion gjigant, një shkollë e vërtetë e muzikës dhe e televizionit. Talentet trajtohen në mënyrën më spektakolare dhe performojnë në finalet e ‘live show’ pranë idhujve të tyre, njerëz të afirmuar të skenës (referuar jurisë). “X Factor” është muzikë, gëzim, show, emocion, garë, energji, mundësi për të transformuar jetën përgjithmonë, garanci suksesi për karrierën tënde artistike; është ëndrra që bëhet realitet, “arratisje” nga jeta e zakonshme dhe integrim i menjëhershëm në jetën artistike! Kushdo që ka një ëndërr dhe do që bota ta njohë, e presim të vijë në audicionet e produksionit në shkollat e muzikës, në qytetet përkatëse.”/tvklan.al