Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky falenderoi shqiptarët për mbështetjen ndaj popullit ukrainas. Ai shprehu mirënjohjen e tij për mos hezitimin e popullit tonë për të mbështetur ata që kanë nevojë. Qëndrimi i shqiptarëve, Zelensky tha se i kujtonte Nënë Terezën.

“Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mbështesni askënd, nuk mendoni kë do mbështesni, ju jeni në anën e lirisë dhe së vërtetës. Faleminderit për hapat konkrete për Ukrainën. Faleminderit për ndihmën e mbrojtjen, në mbështetjen e censurave kundër Rusisë, për përkujdesjen që ju i bëni njerëzve tanë, fëmijëve tanë, veçanërisht burrit. Ky qëndrim i juaji ndaj popullit ukrainas, ndaj fëmijëve të Ukrainës në ditë të vështira për ne, më bën të kujtoj Shën Terezën, shqiptaren që është kthyer në simbolin e humanizmit në mbarë botën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen dhe ta afrojnë atë me shenjtërinë që njerëzit do të kujtojnë brez pas brezi. Unë besoj se duke punuar së bashku me gjithë europianët, në këtë mënyrë, me përpjekjet tona të mira të përgjithshme ne do jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë të zhvilluar nga Rusia, por gjithashtu do të jemi në gjendje të mbrojmë Europën në të ardhmen nga një përsëritje e një kërcënimi të tillë. Ndërsa paketa e 6 e sanksioneve po diskutohet në BE, mesa duket përfshin embargon e naftës dhe bllokimit real të çdo skeme që Rusia përdor për të mashtruar botën e lirë dhe për të injoruar sanksionet”.

Zelensky vlerëson rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB: Të ndalojmë sponsorizimin e Rusisë

Nga Kuvendi i Shqipërisë, Zelensky falenderoi Shqipërinë edhe për rolin e saj në Këshillin e Sigurisë në OKB.

“I jam mirënjohës Shqipërisë me platformën e Kombeve të Bashkuara. Sidomos tani kur vendi juaj është anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB. Duhet të bëjmë një gjë parimore, duhet ta ndalojmë përdorimin e fondeve të OKB, për të sponsorizuar Rusinë dhe nëse ajo shkel kartën e OKB, kërcënon sigurinë ushqimore në botë, shkatërron paqen në botë, nuk ka të drejtë të marrë asnjë cent nga Kombet e Bashkuara.Që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi gadishullin tonë të Krimesë dhe filloi luftën në Donbas, OKB ka blerë mallra dhe shërbime prej sa për të paktën 2 miliardë e gjysmë dollarë, kjo thjeshtë është e padrejë, nuk duhet të ndodhë.”

Zelensky thirrje në Kuvendin e Shqipërisë: Kufizoni tregtinë me Rusinë

Edhe në Kuvendin e Shqipërisë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për ta kufizuar Rusinë sa më shumë, duke theksuar se sapo të jetë në interesin e Rusisë ajo do të përdorë tregun për të goditur.

Në paketën e gjashtë të sanksioneve që po diskutohet në Bashkimin Europian, ne duhet të këmbëngulim që të përfshijë embargon e naftës. Bankat ruse duhen zhdukur përfundimisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht lidhja me Rusinë sepse në mos sot, atëherë nesër Rusia do përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë, kur të dëshirojë nga ju koncensione ose lidhje politike. Ju duhet t’ia hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj”.

Zelenski flet në Kuvendin e Shqipërisë: Nga 24 Shkurti nuk kemi patur asnjë ditë të paqtë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky foli këtë të martë virtualisht në Kuvendin e Shqipërisë. Fjalën e nisi me urim për festën e Bajramit dhe tha se i uronte popullit shqiptar atë që ukrainasat i urojnë njëri-tjetrit: Paqen. Prej 24 Shkurtit, presidenti ukrainas tha se Rusia i ka kthyer të gjitha ditët e popullit të tij në një rrezik vdekjeprurës.

“Ju përgëzoj për këtë festë. Ju uroj atë që të gjithë ukrainasit ia urojnë njëri tjetrin, paqen. Gjatë këtij muaji, myslimanët e Ukrainës dhe shoqërisë sonë nuk kanë patur asnjë gjë paqësore. Që prej 24 Shkurtit, Rusia i ka kthyer të gjitha ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. Në qytetin e Odesës një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën. E plagosur ka mbetur një vajzë 17-vjeçare. Në qytetin tonë më të madhe të Kharkiv, një e pesta e shtëpive janë shkatërruar tashmë. Granatimet vazhdojnë. Duke folur për një qytet, në Mariupol u shkatërrua tërësisht. Nuk ka asnjë ndërtesë.

Të moshuarit që i mbijetuan dy pushtimeve, pushtimit përgjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit aktual të Rusisë thonë që nuk kanë parë mizori të tilla. Ata po shikojnë ushtarët ruse që gjuajnë fëmijët. Ata shikojnë fshatarët që janë zënë robër dhe janë detyruar ditë e natë të shtriheshin në tokë në temperatura zero.

Shumë prej tyre u qëlluan në pjesën e pasme të kokës. Trupa të pajeta janë gjetur në pjesën e pasme të kokës. Rusia është kërkuar të pushonte zjarrin të paktën në Pashkët ortodokse. Nuk është përgjigjur. Mendoni veten 86 objekte fetare u dëmtuan nga granatimet. Ushtria ruse nuk po përpiqet të mbrojë asnjë objekt të kishës, qoftë edhe objekte të kishës ruse nga granatimet e saj. Ata nuk duan të ndalojnë”, tha Zelensky.

Zelensky për Shqipërinë: Dikush është i vogël në hartë, por ka përzemërsi më të madhe!

“Dikush është i vogël në hartë, por ka një përzemërsi më të madhe”, kështu e mbylli fjalën e tij Volodymyr Zelensky në Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti i Ukrainës nuk i kurseu falenderimet e mirënjohjen për vendin tonë. Ai po ashtu shprehu bindjen se Shqipëria do të japë votën e saj pro, kur të vijë koha për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

“Dekada më parë Ukraina dhe Shqipëria zgjodhën rrugën integrimit europian. Ne nuk devijuam. Së bashku ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e lirisë dhe një Europe të bashkuar. Unë besoj se kur të vijë koha për anëtarësimin e Ukrainës në BE vota juaj do të jetë e dëgjueshme në mbështetjen tonë. Jam e sigurt që tani të gjithë në botë po tregojnë karakterin e tyre të vërtetë. Dikush është i madh në përmasa, por shumë i vogël… Duhet të jesh i guximshëm. Dikush është i vogël në hartë, por ka një përzemërsi më të madhe. Faleminderit Shqipëri!

Rama-Zelenskyt: Shqipëria e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë të shkurtër pas mesazhit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Rama tha se mbështetja për rezistencën e Ukrainës është një nga rastet në Shqipëri ku të gjitha palët kanë rënë dakord pavarësisht se Kuvendi nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria dhe Kosova janë rreshtuar krah Ukrainës. Ai shtoi se vendi ynë do të japë kontributin në Konferencën e Donatorëve të thirrur nga Polonia për Ukrainën. Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ky parlament që sot ka nderin të mblidhet t’ju dëgjojë, nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë mes palëve. Janë shumë të rralla në tridhjetë vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja, me gjithë mend e me gjithë zemër, e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë ne këtu, kemi qenë dakord pa bërë as më të voglin diskutim. Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainën, jo vetëm ne, po krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë, përfshirë  edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, jemi rreshtuar krah jush, me zemër, me mendje, e me çdo gjë kemi mundur”.  

Shqipëria është një vend shumë më i vogël se sa Ukraina zoti President. Mundësitë tona për t’ju ardhur në ndihmë janë krejt modeste, krahasuar me madhësinë marramendëse të sfidës suaj. 

Por, ne kemi besuar qysh në fillim, se nëse në aspektin e mbështetjes material, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus. Pasnesër, më 5 Maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest.

Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mundet ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar President Zelensky, se historia jonë e afërt, kur gjysmë milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik, nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri, na ndihmon sidoqoftë të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës. 

Ndarja e nënave e fëmijëve nga baballarët që qëndrojnë për të luftuar, mobilizimi i vajzave që marrin armët për të rezistuar, qëndresa juaj e palëkundur në krye të shtetit që nuk pranon të dorëzojë liritë e fituara, të gjitha pamjet e dëshmitë e kësaj tragjedie të paimagjinueshme deri ditën e hyrjes së trupave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë përveçse sakrifica ekstreme e një populli liridashës edhe një shërbim i paçmuar, që ju dhe vendi juaj po i bëni të gjithë botës deri dje të përgjumur demokratike.

I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. “Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë. 

Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet. 

Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar President, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. 

Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike“, tha Rama!/tvklan.al