Lulzim Basha u shpreh këtë të mërkurë se kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të vendosur mburojat qeveritare në funksion të pandëshkueshmërisë. Në një deklaratë për shtyp ai tha se amnistia penale e propozuar nga PS amniston zyrtarët e korruptuar dhe jo protestuesit që janë ngritur për të mbrojtur pronën e tyre.

“Kjo është një goditje e pastër në punën e drejtësisë. Dua ta bëj fare të qartë që PD jo vetëm nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të bëjë gjithçka brenda dhe jashtë vendit për të treguar dhe faktuar se kërcënimi kryesor ndaj avancimit të Reformës në Drejtësi dhe në luftën ndaj pandëshkueshmërisë sot është Edi Rama dhe qeveria e korruptuar”, u shpreh ai.


Basha bëri me dije se grupi i tij i deputetëve nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare ku pritet të kalojë ligji për amnistinë. Ai u shpreh se PD-ja do ta rishikojë pozicionin e saj vetëm nëse pranohen kushtet e saj, që të gjithë protestuesit të amnistohen.

“PD nuk do marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe padiskutim është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht PD në funksion të interesit më të mirë publik dhe në transparencë të plotë do të rishikojë vendimin e saj”, u shpreh Basha.

Kujtojmë se një ditë më parë socialistët kaluan me votat e tyre në Komisionin e Ligjeve draftin e integruar të Amnistisë Penale. Amnistia penale që të miratohet në parlament kërkon 84 vota që shumica socialiste nuk i ka./tvklan.al