Bashkimi Evropian (BE) do t’i fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë javën e ardhshme, njoftoi të premten Belgjika, e cila kryeson presidencën e BE-së.

“Këshilli i BE-së i miratoi qëndrimet e përgjithshme të BE-së, përfshirë kornizat e bisedimeve, për bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë”, tha ajo në rrjetin social X, duke shtuar se “kjo e hap rrugën për fillimin e bisedimeve të martën, më 25 qershor, në Luksemburg”.

Këshilli i BE-së mbledh përfaqësuesit e qeverive të 27 vendeve që e përbëjnë bllokun. Nisja zyrtare e bisedimeve me Ukrainën do të bëhet në orën 15:30, ndërsa me Moldavinë në orën 18:00.

Njoftimi vjen dy javë pasi Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e procesit, duke thënë se të dyja vendet janë përgatitura mjaftueshëm për hapjen formale të procesit për t’u bërë anëtare të BE-së.

Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pak pasi filloi pushtimi, ndërsa statusin e vendit kandidat e morën në qershor 2022.

Në dhjetor, ato e morën dritën jeshile për nisjen e bisedimeve.

Pak pas njoftimit të kryesueses së presidencës së BE-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e lartësoi vendimin, duke shkruar në X se ndihet “mirënjohës” ndaj bllokut për “vullnetin e tij të fuqishëm”.

“Miliona ukrainas dhe breza të ndryshme të popullit tonë, po e përmbushin ëndrrën e tyre evropiane. Ukraina po kthehet në Evropë, ku e ka pasur vendin me shekuj, si një anëtare e plotë e bashkësisë evropiane”, shkroi Zelensky.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, reagoi në X pas lajmit të premten, duke thënë se e ka nënshkruar dokumentin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me bllokun.

“Anëtarësimi në BE është rruga jonë drejt paqes, prosperitetit dhe një jete më të mirë për të gjithë qytetarët”, shkroi Sandu.

Duke reaguar ndaj njoftimit të Brukselit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten integrimi në BE është çështje sovrane e Kishinjevit, por shtoi se ka “shumë moldavë të cilët duan edhe lidhje më të ngushta me Rusinë”./REL