Rusia mund të furnizojë me armë Korenë e Veriut. Këtë deklaratë presidenti rus Vladimir Putin e dha  para gazetarëve në Vietnam, një ditë pasi vizitoi Korenë e Veriut të dhe nënshkroi një marrëveshje të mbrojtjes me liderin Kim Jong Un.

Putin kërcënoi në fillim të këtij muaji se Rusia mund të furnizojë me armë kundërshtarët e Perëndimit duke qenë se këto vende i kanë siguruar Ukrainës armë dhe i kanë dhënë leje për të sulmuar objektiva ushtarakë brenda Rusisë.

Traktati i nënshkruar nga Putin dhe Kim të mërkurën angazhon secilën palë që t’i japë ndihmë të menjëhershme ushtarake tjetrës në rast të agresionit të armatosur kundër njërës prej tyre.

Putin ka deklaruar se Moska pret që bashkëpunimi i saj me Korenë e Veriut do të shërbente si një pengesë për Perëndimin, por është shprehur se nuk e sheh të arsyeshme për të përdorur ushtarë të Koresë së Veriut për luftën në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut tashmë i ka ofruar Rusisë sasi të konsiderueshme  armësh, akuza të cilat Moska dhe Pheniani i kanë mohuar. Uashingtoni është i shqetësuar për këtë qëndrim të Moskës. Mattheë Miller, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, tha se ofrimi i armëve ruse për Phenianin do të destabilizonte gadishullin Korean.

Klan News