Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka sekuestruar pasuritë e dy vëllezërve të cilët kanë përdorur qendrat e masazheve për prostitucion.

Bëhet fjalë konkretisht për pasuritë 1 dyqan, 1 parking, 1 apartament, 5 makina e disa llogari bankare.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në zotërim të shtetasit M.R. dhe familjarëve të tij, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga informacionet e grumbulluara në rrugë operative, në kuadër të procedimit penal nr. 1789, datë 12.03.2021, u siguruan informacione se shtetasi M. R., së bashku me të vëllanë e tij A. R. janë arrestuar në flagrancë dhe me vendim penal nr. 1512, datë 14.09.2020 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burgim” për veprën penale të “Mbajtje të lokaleve për shfrytëzim prostuticioni”.

Si administrator të qendrave të masazhit, ata pasi rekrutonin femra për t’i punësuar si masazhatore, i detyronin që të kryenin shërbime seksuale kundrejt pagesës.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi M.R. dhe familjarët e tij zotërojnë shuma parash të çelura në bankat e nivelit të dytë, në emër të tyre dhe të familjarëve të tij, shuma këto të cilat mund të jenë me prejardhje nga aktiviteti i tij kriminal.

Nga hetimi i kryer deri më tani plotësohen kriteret për t’u vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasve M. R., K. R., A.R., si dhe K. R., pasi ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi M. R. në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A.R., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”  e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe babai dhe bashkëshortja e tij. Nga hetimi i kryer deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi M. R., si dhe familjarët e tij, paratë e dyshuara si të përftuara nga ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm të mbajtjes së ambjenteve për shfrytëzim prostitucioni, për të cilën provohet se edhe eshtë dënuar shtetasi M.R., i kanë investuar në blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si formë e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Për këto arsye, në bazë të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:

Pasuria e llojit “Njësi”, me sipërfaqe 34 m2, nr. 2/211+8-57/1, ZK 8250;

– Pasuria e llojit “Apartament” me sipërfaqe 106.4 m2, rr. “Hoxha Tahsin”;

– Pasuria e llojit “Post Parkimi” me sipërfaqe 41.2 m2, Tiranë;

– Automjeti “Benz 250 D”;

– Automjet “Volkswagen”;

– Automjet “Skoda Octava”;

– Automjet “AUDI A8”;

– Automjet “Smart”; dhe

– Vendosja e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj llogarive bankare të shtetasve M.R., K.R., K.R. dhe A.R.